Krijimi i një faqe interneti për biznes nuk nis me ngjyrat apo me template-in, por me një pyetje: çfarë doni që të bëjë vizitori pasi hap faqen? Këtu janë hapat që ndjek me çdo klient, nga ideja te publikimi.

1. Përcaktoni qëllimin

Telefonata, kërkesa për ofertë, rezervime apo shitje online? Një qëllim i qartë përcakton strukturën, tekstet dhe butonat e çdo faqeje.

2. Zgjidhni domain-in

I shkurtër, i lehtë për t’u shkruar dhe pa vija të panevojshme. Për biznese në Shqipëri funksionojnë mirë si .al ashtu edhe .com. Regjistrojeni gjithmonë në emrin tuaj, jo të developer-it.

3. Zgjidhni hosting të mirë

Hostingu ndikon drejtpërdrejt në shpejtësi dhe siguri. Hostingu më i lirë shpesh e ngadalëson faqen dhe kjo ju kushton klientë dhe renditje në Google.

4. Planifikoni strukturën

Për shumicën e bizneseve mjaftojnë: kryefaqja, një faqe për çdo shërbim kryesor, projektet ose punët, rreth nesh, blogu dhe kontakti. Një faqe për çdo shërbim ka shumë më tepër shanse të renditet në Google sesa një faqe e vetme me të gjitha shërbimet.

5. Dizajni

Dizajni duhet të ndjekë brand-in tuaj dhe të projektohet fillimisht për celular, sepse shumica e vizitorëve vijnë prej andej. Kërkoni të shihni dizajnin para se të nisë zhvillimi.

6. Tekstet dhe fotot

Shkruani për klientin, jo për veten: çfarë problemi i zgjidhni, si punoni, sa kushton afërsisht dhe si ju kontakton. Përdorni foto reale të punës, ekipit dhe projekteve në vend të fotove të përgjithshme.

7. SEO dhe shpejtësia para publikimit

  • Titull dhe përshkrim SEO për çdo faqe
  • Një H1 i qartë për faqe, me fjalën kyçe kryesore
  • Imazhe të kompresuara me tekst alternativ
  • Sitemap i dorëzuar te Google Search Console
  • Ridrejtime 301 nëse zëvendësoni një faqe të vjetër
  • Test i shpejtësisë në celular me PageSpeed Insights

8. Publikimi dhe pas publikimit

Pas publikimit faqja ka nevojë për përditësime, backup dhe përmbajtje të re. Një blog me artikuj për pyetjet e klientëve tuaj dhe një profil i plotësuar në Google Business Profile janë dy nga mënyrat më efektive për të sjellë vizitorë falas.

Ta bëni vetë apo me një profesionist?

Ndërtuesit online ju lejojnë të nisni shpejt, por shpesh kufizojnë shpejtësinë, SEO-në dhe rritjen. Nëse faqja është kanal kryesor për klientë, ia vlen ta ndërtoni me dikë që merret me të gjitha hapat më sipër. Shihni si e bëj unë te ndërtim faqe interneti, ose lexoni sa kushton një faqe interneti.

hetaelton

Web developer në Tiranë. Ndërtoj website, sisteme të personalizuara dhe strategji SEO për biznese në Shqipëri dhe jashtë saj.